Pas Rikardo Kaka, Reali i Madridit ka siguruar edhe Kristiano Ronaldon nga Mancesteri. Vetë klubi anglez bëri të ditur se pranoi ofertën e bërë nga gjigandët spanjollë, e cila e bën portugezin futbollistin më të shtrenjtë të të gjitha kohërave. Reali do të paguajë për të 94 milionë euro, një shifër e paparë ndonjëherë në historinë e futbollit.
SPANJE- Kristiano Ronaldo është blerja e dytë e madhe e Florentino Perez si edhe operacioni më i kushtueshëm në historinë e futbollit, duke kaluar atë të Zidane. Pas Rikardo Kakasë, Reali i Madridit ka arritur të shkëpusë nga Mançester Junajtid edhe yllin portugez, për një shifër rekorde prej 80 milionë stërlinash, afërsisht 94 milionë euro. Lajmi është bërë i ditur nga vetë uebsajti zyrtar i Mançesterit, ku thuhet se pas kërkesës së bërë nga klubi spanjoll dhe dëshirës së lojtarit për të shkuar në Madrid, Realit i është dhënë leje të bisedojë me futbollistin për të gjetur akordin për rrogën, teksa Ronaldo pritet të përfitojë shumën rekord të 234 mijë eurove në javë.
Mançesteri bën të ditur se i gjithë operacioni do të përfundojë më 30 qershor, megjithatë marrja e Ronaldos e ka bërë Perezin që tani mbretin e merkatos europiane. Portugezi bëhet kështu futbollisti më i shtrenjtë në histori, ndërsa operacioni që do të veshë atë me fanelën e bardhë duket gjithashtu një sfidë ndaj krizës financiare botërore. Kristiano Ronaldo është fituesi i Topit të Artë në fuqi dhe aktualisht një nga lojtarët më të mirë në botë. Ai kërkoi që një vit më parë të largohej nga Mançesteri për te Reali, por këmbëngulja e trajnerit Aleks Ferguson bëri që operacioni i nisur nga Ramon Kalderon të dështonte. Pasi fituesi tre tituj kampionë dhe një Champions League, portugezi dëshironte një aventurë të re dhe Bernabeu duket vendi ideal për këtë.
Me rikthimin e tij në presidencën madrilene Perez pati premtuar sërish një Real galaktik për t’iu kundërvënë Barcelonës dhe rezultateve të saj këtë sezon. Ai premtoi menjëherë shpenzimin e 300 milionë eurove që në fushatën e parë të merkatos, një shifër e quajtur çmenduri më vete. Florentino Perez është një ish-politikan spanjoll dhe aktualisht pronar i një prej kompanive më të mëdha të ndërtimit në Evropë, ACS. Pasuria e tij personale, sipas revistës Forbes llogaritet në 1.8 miliard dollarë. Tashmë objektivi i radhës i Perez është sulmuesi i Valencias David Vija.